Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë thirrur sërish protestë sot në Prishtinë, duke filluar nga ora 09:00. Kjo protestë, e cila ka në fokus kërkesën për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, vjen pas tensioneve të djeshme.
Protesta e sotme zhvillohet një ditë pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen në qendër të kryeqytetit, mes protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Si pasojë e këtyre përleshjeve, 11 qytetarë dhe 6 pjesëtarë të Policisë mbetën të lënduar.
Mëngjesin e sotëm, në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është vënë re një prani e shtuar e forcave policore. Për shkak të masave të sigurisë dhe mbarëvajtjes së protestës, Policia ka bllokuar edhe sot disa rrugë në kryeqytet, duke e vendosur Prishtinën nën masa të rrepta sigurie.
