Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar një protestë simbolike përballë Kuvendit të Kosovës, ku kryetari Dardan Molliqaj akuzoi Vjosa Osmanin se po e përdor LDK-në si “Kalë Troje” dhe kritikoi opozitën në përgjithësi për garë të pastër për pushtet.

Pas këtij veprimi, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, kritikoi ashpër Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kthimin e ish-presidentes Vjosa Osmani në këtë parti. Ai theksoi se opozita aktuale në Kosovë nuk po ofron alternativa thelbësore për qytetarët, por synon vetëm të sigurojë më shumë pozita pushteti në qeverinë e ardhshme.

Molliqaj deklaroi se zhvillimet e vazhdueshme në kampin opozitar do të konfirmojnë mungesën e një opozite të mirëfilltë në Kosovë. “Këto parti opozitare po shkojnë në këto zgjedhje me një qëllim shumë të thjeshtë, por krejtësisht të padobishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës: po garojnë vetëm për të siguruar më shumë ulëse deputetësh dhe për të pasur një hise më të madhe në qeverinë e ardhshme,” theksoi ai.

Lidhur me rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK, Molliqaj u shpreh se ky veprim ka dy probleme thelbësore. “Së pari, është një mashtrim i madh publik, pasi Vjosa Osmani nuk është kthyer realisht në LDK. Ajo po e përdor LDK-në si trampolinë për ndonjë pozicion të ardhshëm në institucionet e Kosovës. Siç është bërë tashmë publike, ajo nuk është anëtare e LDK-së; ajo ka marrë me vete një grup prej rreth 20 personash, po i vendos në listën e LDK-së dhe po e ripërdor këtë parti edhe një herë tjetër,” argumentoi Molliqaj.

“Së dyti, ne besojmë se kjo qasje i përshtatet më shumë simbolikës së ‘Kalit të Trojës’, pasi LDK-ja, në vend që të bashkohet, po ndahet sërish. Personat që i qëndruan besnikë LDK-së në periudhën kur u braktis, u sulmua dhe u shkatërrua nga Vjosa Osmani – siç e keni vërejtur edhe ju vetë – nuk morën pjesë në ceremoninë e bashkimit të propaganduar nga kryetari Abdixhiku. Ky ‘bashkim’ është një lidhje e pastër interesi për pozita mes dy individëve që e kanë uzurpuar këtë parti,” shtoi Molliqaj.

“Ndaj, me të drejtë mund të pyesni: Po çfarë i intereson Partisë Socialdemokrate çështja e LDK-së? Absolutisht na intereson. Kosova vuan prej pesë vitesh nga mungesa e një opozite të mirëfilltë. Kosova vuan nga njerëz të cilët, sa herë kanë qenë në institucione, i kanë shërbyer kryeministrit me përpikëri të plotë,” theksoi ai.

Molliqaj paralajmëroi se Kosova nuk e ka luksin dhe nuk duhet të rizgjedhë individë që kanë plane vetëm për pozita personale. “Ata nuk i shërbejnë as partive në të cilat po shkojnë – i kanë abuzuar, i kanë poshtëruar dhe po kthehen me simbolikën e ‘Kalit të Trojës’. Dhe ju e dini se çfarë i ndodhi Trojës kur kali u fut brenda mureve të saj. Prandaj, unë besoj se votuesit në Kosovë, dhe veçanërisht ata të Lidhjes Demokratike, nuk kanë arsye të mbështesin këtë nismë, e cila është kundër interesave të tyre dhe kundër demokracisë së Kosovës. Për këtë arsye, u bëj thirrje të votojnë kësaj radhe për Partinë Socialdemokrate, e cila ka një qëndrim të qartë dhe garanton vetëm një pozicionim të vërtetë opozitar,” përfundoi Molliqaj.