Kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë plan tjetër, veç rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian, gjatë konferencës për media me Presidenten e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Nadia Calviño.

Rama vuri në dukje se forcimi i bashkëpunimit me BEI do të sigurojë për Shqipërinë më shumë njohuri dhe investime.

“Për ne është thelbësore nevoja për të bërë gjithçka të mundur për të mbështetur të gjithë ata që angazhohen në sipërmarrjen e lirë dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), të cilat janë partnerët tanë më të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës. Tashmë ndihemi më të fortë me mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve për të mbështetur programin e madh për dyfishimin e sipërmarrjeve, një iniciativë e lidhur drejtpërdrejt me NVM-të. Nuk është vlera e parave, por dija dhe mundësia për të mësuar si do të zhvillohen ato në këtë drejtim,” tha Rama.

Ai shtoi se “Shqipëria kurrë nuk ka pasur një plan B dhe nuk i ka hedhur sytë diku tjetër. Ne e dimë prej historisë që çdo plan B dhe C rezulton në mungesë lirie individuale dhe barazie para ligjit. Kohët kanë ndryshuar, po shfaqen aktorë të rinj me qasje të ndryshme, por thelbi mbetet i njëjtë.”

Kryeministri theksoi metaforikisht se “Ka vetëm një qytet që shkëlqen mbi kodër për atë që ne dëshirojmë më fort, që është liria jonë, dhe ky qytet është qartësisht BE-ja për ne. E di që ka ende rrugë për t’u bërë pjesë e BE-së, por jemi krenarë që kemi realizuar ndryshime që kanë transformuar marrëdhënien mes individit dhe shtetit.”

“Po presim me padurim që të forcojmë bashkëpunimin me Bankën Evropiane të Investimeve, pikë së pari për të përfituar maksimalisht nga ekspertiza juaj e jashtëzakonshme dhe për të inkurajuar më shumë investime në Shqipëri. Tashmë kemi një bankë të re zhvillimi, të sapo themeluar në Shqipëri, që është një instrument i ri, i cili shpresojmë të shfrytëzohet jo vetëm nga institucionet tona, por edhe prej jush,” përfundoi kryeministri.