Qeveria e Kosovës ka miratuar sot me shumicë votash projektligjin për Sigurimet Shëndetësore, një nismë që konsiderohet thelbësore për të ardhmen e shëndetësisë në vend.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se ky projektligj “vendos qytetarin në qendër dhe e bën shtetin garant të shëndetit e dinjitetit të tij,” ndërsa do të lehtësojë barrën financiare të familjeve. Ai shtoi se nisma është në përputhje të plotë me strategjitë zhvillimore të qeverisë.
Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e cilësoi këtë nismë si “një nga më të rëndësishmet për të ardhmen e shëndetësisë në vend.” Ai shpjegoi se projektligji, i cili vjen pas më shumë se një dekade diskutimesh dhe analizash të thelluara, është hartuar duke marrë parasysh sfidat e sistemit shëndetësor vendas dhe praktikat ndërkombëtare.
Sipas Vitias, qëllimi është krijimi i një ligji të zbatueshëm që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe realitetit ekonomik e social të Kosovës. Kjo masë përfaqëson një hap domethënës drejt vendosjes së një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore.
