Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt të mbajtur sot, ka miratuar propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Në fjalën e saj, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky vendim vjen si rezultat i nevojës për të adresuar një sërë çështjesh të evidentuara gjatë mandatit të komisionit aktual, të cilat kanë ndikuar në besueshmërinë e procesit të provimit.
“Numri i madh i ankesave që ka pranuar Ministria e Drejtësisë tregon nevojën për më shumë konsistencë në praktikat e vlerësimit, zbatim më të unifikuar dhe adekuat të programit të provimit dhe të dispozitave përkatëse ligjore, si dhe nivel më të lartë transparence dhe profesionalizmi në arsyetimin e rezultateve”, tha Ministrja Gërvalla.
Në këtë drejtim, me qëllim të funksionalizimit të një komisioni të ri me integritet të lartë profesional, Ministrja Gërvalla ka propozuar përbërjen e re si në vijim:
Arian Gashi – kryetar i Komisionit, ndërsa Ersan Qavolli – zëvendësanëtar dhe pyetës/zëvendëspyetës në lëndën e së drejtës penale, materiale dhe procedurale;
Për lëndën: e drejta civile, materiale dhe procedurale – Lumni Sallauka, zëvendëskryetar, ndërsa Arsim Hamzaj, zëvendësanëtar;
Për lëndën: e drejta kushtetuese dhe bazat e sistemit gjyqësor – Anita Prenaj -Krasniqi, anëtare, dhe znj. Suada Rama -Hamza, zëvendësanëtare;
Për lëndën: e drejta tregtare, e drejta e punës dhe e drejta administrative – z. Burim Shala, anëtar, ndërsa Nehat Qelaj, zëvendësanëtar;
Për lëndën: e drejta ndërkombëtare dhe e drejta e Bashkimit Evropian – Bujar Muzaqi, anëtar, dhe znj. Rrezarta Lleshaj, zëvendësanëtare.
Në fund, Ministrja Gërvalla kërkoi miratimin e këtij propozimi me qëllim forcimin e meritokracisë, kredibilitetit dhe transparencës në proces, si dhe procedimin e përbërjes së re të Komisionit për miratim në Kuvend, në përputhje me ligjin.
