QKUK zhvendos përkohësisht shërbimet e hemodializës për shkak të renovimeve

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se pacientët e saj që marrin shërbimin e hemodializës do të trajtohen përkohësisht në qendrat shëndetësore më afër vendbanimit të tyre. Ky vendim vjen si pasojë e punimeve renovuese që po kryhen në Qendrën e Hemodializës pranë QKUK-së.

Sipas njoftimit nga Klinika e Nefrologjisë, ky organizim ka për qëllim garantimin e vazhdimësisë së trajtimit dhe shmangien e çdo ndërprerjeje të shërbimeve jetike për pacientët.

“Kjo masë është marrë me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së trajtimit dhe ruajtjes së standardeve të larta të kujdesit shëndetësor”, theksohet në njoftimin e QKUK-së.

QKUK-ja bëri të ditur se vendosja e pacientëve në qendrat alternative është realizuar në koordinim të ngushtë me institucionet shëndetësore përkatëse. Pas përfundimit të punimeve renovuese, shërbimi i hemodializës do të rikthehet plotësisht në Qendrën e Hemodializës pranë QKUK-së.