Qumështorja VITA ka reaguar pas deklaratave të ministrit gjatë konferencës së sotme, duke e akuzuar atë për, siç thotë, “propagandë politike” ndaj kompanisë dhe qumështit të prodhuar nga fermerët e Kosovës.
Në reagimin e saj, VITA ka thënë se qasja ndaj kompanisë ka vazhduar edhe sot, ndërsa ka theksuar se faktet, sipas saj, e rrëzojnë këtë pretendim.
“Edhe sot propaganda politike kundër VITA dështoi, faktet folën!”, thuhet në reagimin e Qumështores VITA.
Sipas kompanisë, gjatë konferencës ministri ka konfirmuar se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme.
“Siç u pa edhe sot, konferenca vazhdoi me të njëjtën qasje ndaj Qumështores VITA. Edhe këtë herë, Ministri u përpoq përmes deklaratave politike dhe interpretimeve të përgjithshme të njollosë VITA-n dhe qumështin e fermerëve të Kosovës”, thuhet në reagim.
VITA ka theksuar se “faktet nuk mund të ndryshohen me propagandë politike”, duke përsëritur kërkesën që analizat zyrtare të bëhen publike.
“Sot, vetë Ministri konfirmoi se në analizat e qumështit VITA nuk është gjetur vaj palme. Pikërisht këtë kemi kërkuar që nga dita e parë: publikoni analizat dhe lërini qytetarët ta shohin të vërtetën”, ka deklaruar kompania.
Qumështorja ka bërë të ditur se ka publikuar edhe analizat zyrtare që, sipas saj, janë dërguar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
“Prandaj, edhe një herë, më poshtë po i publikojmë analizat zyrtare të dërguara nga AUV, në mënyrë që secili qytetar t’i shohë vetë rezultatet”, thuhet në reagim.
VITA ka pretenduar gjithashtu se fokusi i ministrit gjatë konferencës ka qenë kryesisht te kjo kompani.
“Nuk është turp të thuhet e vërteta. Edhe sot u pa qartë se fokusi i Ministrit ishte tërësisht vetëm te Qumështorja VITA”, thuhet në reagim.
Kompania ka thënë se nuk do të heshtë ndaj asaj që e konsideron si dëmtim të imazhit të saj dhe të prodhimit vendor.
“Ne nuk do të heshtim përballë dëmtimit të një brendi vendor dhe të qumështit që vjen nga fermerët e Kosovës. Dokumentet janë publike. Faktet flasin vetë”, thotë reagimi i Qumështores VITA.
