Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, është përfshirë në një shkëmbim fyerjesh me një qytetar në platformën Facebook, pasi ky i fundit e ka quajtur kryetarin “xhenaze”. Përgjigja e Totajt ka qenë provokative, duke i thënë komentuesit: “Nëse ki fare familje, përshëndeti krejt me rend”.

Ngjarja ka nisur në një postim të Totajt, ku ai fliste për linçimin publik, gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, të cilat, sipas tij, po bëhen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti. Në këtë postim, një qytetar ka komentuar: “Qyr xhenazja, qyre more xhenazen…”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i është përgjigjur menjëherë këtij komenti duke shkruar: “Nëse fare ki familje, përshëndeti krejt me rend!”

Përderisa fjala “xhenaze” zakonisht i referohet të vdekurit ose ceremonisë mortore, në zhargonin bisedor përdoret edhe si ofendim për një person të dobësuar apo të rraskapitur, siç raporton “Betimi për Drejtësi”.

Qytetari ka vazhduar me gjuhë fyese, duke iu kthyer kryetarit: “Shaqir Totaj edhe ti tenden, kryetar, shum pershendeti, thuaju qe i kam per qejfi. Turpi te mbuloft”.

Disa minuta pas këtij shkëmbimi, postimi është fshirë nga faqja e kryetarit.

Redaksia e “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me kryetarin Totaj për sqarime rreth komenteve dhe fshirjes së postimit. Në një përgjigje me shkrim, Totaj ka hedhur përgjegjësinë te administratori i faqes, por ka refuzuar të japë emrin e tij.

Kjo është dialogu i plotë mes gazetares dhe kryetarit Totaj:

**Kryetari Totaj:** “Përshëndetje e nderuar. Faqen e menaxhon administratori dhe posa unë e vërejta këtë komunikim reagova për ta larguar. Keni parasysh, nëse i shkruhet Kryetarit të Prizrenit ‘xhenaze’, ka individë që reagojnë! Me respekt, Sh.T.”
**Gazetarja:** “Kush është administratori që ka komentuar në emrin tuaj?”
**Kryetari Totaj:** “Kaloni ditë të bukur!”
**Gazetarja:** “A mund të na tregoni emrin e administratorit, ju lutem?”
**Kryetari Totaj:** “Kaloni ditë të bukur, kaq mund të ju them!”

Në postimin origjinal, Totaj kishte shkruar se suksesi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti konsiston në “komunikimin toksik përmes linçimit publik, gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe shpifjes”. Ai gjithashtu kishte përcaktuar gjuhën e urrejtjes si “fyerje dhe diskriminim i bazuar në bindje politike, gjini, racë, përkatësi etnike, besim fetar apo orientim seksual”, dhe dezinformimin e shpifjen si “përhapja e informacioneve të rreme për persona të caktuar me qëllim dëmtimin e reputacionit”.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga qytetari, mirëpo nuk ka arritur deri në momentin e publikimit të lajmit.