**Radev uron Kurtin për mandatin e ri dhe e fton në vizitë zyrtare në Bullgari**
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë një letër urimi nga Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, me rastin e formimit të Qeverisë së re dhe marrjes së mandatit të tij.
Në letrën e tij, Presidenti Radev i shprehu Kurtit urimet më të sinqerta, duke vlerësuar angazhimin e tij për konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtar i denjë i bashkësisë ndërkombëtare.
Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Bullgarisë për proceset integruese të Kosovës, duke përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës.
Në letër, Radev siguroi për gatishmërinë e vendit të tij për të vazhduar mbështetjen në ofrimin e një perspektive të qartë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e plotë të saj në Këshillin e Evropës.
Për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, Presidenti bullgar e ka ftuar Kurtin për një vizitë zyrtare në Bullgari.
Radev vlerësoi se marrëdhëniet dhe kontaktet miqësore mes dy vendeve përbëjnë një bazë të mirë për forcimin e partneritetit dhe ngritjen e tij në një nivel më të lartë.
/IndeksOnline/
