Kryeministri Edi Rama, gjatë një deklarate të përbashkët për mediat në Talin me homologun estonez Kristen Michal, ka ftuar inovatorët estonezë t’i drejtohen Shqipërisë. Rama e vlerësoi Estoninë si një model për Shqipërinë në fushën e përparimit teknologjik dhe inovacionit, duke theksuar se Shqipëria ofron mundësi dhe një ambient mikpritës.

Kreu i qeverisë theksoi se në Shqipëri, inovatorët estonezë do të gjejnë jo vetëm diell, por edhe një ndjenjë shtëpie, duke argumentuar se vendi ynë nuk ka simpati për Vladimir Putinin, siç raporton A2CNN.

Kryeministri shprehu admirimin e tij për Estoninë, duke e cilësuar Talinin si një “laborator të së ardhmes”, i cili “shkruhet dita-ditës”. Ai theksoi se qyteti është i mrekullueshëm falë zhvillimeve të vazhdueshme dhe frymës inovative të qytetarëve estonezë, të cilët, sipas Ramës, “në vend që të vazhdojnë të jetojnë në një muze, ata kanë vendosur të jetojnë në të ardhmen”.

Rama nënvizoi rëndësinë e Estonisë si një shembull frymëzues për Shqipërinë, një vend i vogël me nevojë për modele të tilla. Ai shtoi se Shqipëria kërkon jo vetëm bashkëpunim, por edhe udhërrëfyesin estonez, duke shprehur mirënjohjen për gatishmërinë e palës estoneze për të pritur delegacione shqiptare dhe për të ndarë eksperiencën, veçanërisht në sektorin arsimor, me qëllim pajisjen e brezit të ri me instrumentet e nevojshme për zhvillimin e vendit.

Në përfundim, Rama përsëriti apelin e tij, duke deklaruar: “Duam të shohim inovatorët estonezë të teknologjisë që të orientohen drejt Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri.”