Kryeministri Edi Rama deklaroi se marrëdhënia e Shqipërisë me Bashkimin Europian është më e afërt se kurrë, duke hedhur poshtë sërish pretendimet për bllokim të negociatave. Në podcastin e tij të radhës, Rama theksoi progresin e vendit drejt anëtarësimit në BE, duke përmendur zhvillimet në forcimin e shtetit të së drejtës dhe modernizimin e qeverisjes.

Një ditë pas Ditës së Europës, Rama theksoi se negociatat me BE-në kanë avancuar me ritëm të shpejtë dhe se Shqipëria ka përmbushur detyrimet thelbësore për të kaluar në fazën e mbylljes së kapitujve.

“Për herë të parë pas shumë dekadash, rruga drejt Bashkimit Europian nuk duket më si një horizont i largët, por si një majë tashmë e kapshme,” u shpreh kryeministri. Ai theksoi se negociatat kanë avancuar me ritëm të shpejtë, me kapitujt e hapur në kohë rekord. “Marrëdhënia me Bashkimin Europian po ndërtohet ditë pas dite me rezultate konkrete,” shtoi Rama, duke vënë në dukje se Komisioni Europian dhe vendet anëtare po diskutojnë një raport që nënvizon përmbushjen e detyrimeve nga Shqipëria dhe gatishmërinë e saj për të kaluar në fazën e mbylljes së kapitujve. Ky progres, sipas Ramës, është fryt i punës dhe rezultateve konkrete në një proces transformues që përfshin çdo sektor.

Rama shtoi se reformat në drejtësi, transformimi i administratës publike, digjitalizimi i shërbimeve, modernizimi i ekonomisë, si dhe investimet në energji dhe infrastrukturë, nuk janë veç pjesë të shkëputura, por “hallka të një zinxhiri gjithnjë e më solid drejt ndërtimit të shtetit europian të shqiptarëve.”

Gjatë fjalës së tij, kryeministri veçoi edhe raportin e medias me qeverinë dhe opozitën. Ai bëri të ditur se kishte postuar një analizë të realizuar nga një ‘startup’ shqiptar me inteligjencë artificiale, e cila vlerësonte drejtimin e qëndrimeve dhe artikujve mediatikë, si në median tradicionale ashtu edhe atë online, në raport me politikën. “Kjo analizë,” theksoi Rama, “tregon qartësisht se nga tërësia e produkteve mediatike në raport me politikën, 60% e kohës televizive në Shqipëri i kushtohet qëndrimeve kundër qeverisë, një pjesë tjetër është e balancuar dhe një pjesë shumë e vogël është pro-qeverisë.” Ai shtoi se një situatë e ngjashme vërehet edhe në median online. “Kjo më bën të ndihem mirë, pasi dëshmon se nuk jemi në një vend me media të kapura apo ku mbyllen gojët e atyre që flasin,” përfundoi Rama, duke iu referuar debateve mbi lirinë e medias.

Kryeministri përmendi edhe Kongresin Botëror të Ligjit, të zhvilluar në Tiranë, si një dëshmi tjetër të transformimit të Shqipërisë lidhur me sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Ai theksoi se organizimi i një platforme të tillë ndërkombëtare në Tiranë tregon besimin dhe respektin që vendi po fiton në arenën ndërkombëtare falë progresit në drejtësi.

Si një zhvillim tjetër, Rama veçoi nisjen e programit EU4Municipalities II, i mbështetur nga BE, që synon forcimin e kapaciteteve të pushtetit vendor dhe përgatitjen e bashkive shqiptare për përthithjen e fondeve europiane.