**Rama mbi dy orë në Pallatin Elysee, Presidenti Macron: Mbështesim Shqipërinë në rrugën drejt BE**
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Paris një vizitë zyrtare, duke qëndruar mbi dy orë në Pallatin Elysee për një drekë pune me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron.
Kjo vizitë është pjesë e dialogut të nivelit të lartë politik mes Shqipërisë dhe Francës, me synim forcimin e partneritetit strategjik. Në fokus të bisedimeve ishin edhe qasja e re ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku kryeministri Rama ka qenë një zë aktiv, si dhe samiti i ardhshëm i NATO-s në Ankara.
Takimi i sotëm vijon serinë e takimeve mes dy liderëve, të cilët janë takuar zyrtarisht në Paris në prill 2024, dhe në Tiranë në tetor 2023 e maj 2025. Përveç këtyre, ata kanë pasur kontakte të rregullta në formate të ndryshme shumëpalëshe dhe përmes telefonit.
Shqipëria vlerëson rolin e Francës dhe angazhimin personal të Presidentit Macron në promovimin e një qasjeje të re për Ballkanin Perëndimor dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të rajonit. Kjo vizitë në Paris synon të rikonfirmojë vullnetin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e mëtejshëm të integrimit evropian të Shqipërisë.
Pas bisedimeve, Presidenti Macron reagoi në platformën “X”, duke vlerësuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës. Ai theksoi bashkëpunimin në fusha si inovacioni, arsimi, kultura dhe turizmi, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë dhe vazhdimin e reformave në rrugën drejt BE-së.
Në mesazhin e tij, Macron shkroi: “Mirë se erdhe, i dashur Edi Rama! Dinamika shumë e mirë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës në inovacion, arsim, kulturë dhe turizëm dëshmon afërsinë tonë. Ne dëshirojmë t’i japim një shtysë të re këtij partneriteti, duke forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik dhe atë në mbrojtje. Franca rikonfirmon mbështetjen e saj për integrimin evropian të Shqipërisë dhe për vazhdimin e reformave të nevojshme në rrugën drejt Bashkimit Evropian.” (Burimi: Top Channel)
