Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se do të ngrejë padi kundër Dimal Bashës dhe Dejona Mihalit. Ai theksoi nevojën për të “larguar ata që shtiren si përfaqësues të popullit, por veprojnë kundër tij.”

Rama ka folur lidhur me përplasjet e tij të fundit me figura të Lëvizjes Vetëvendosje, pas aksidentit fatal të ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku një person humbi jetën.

Kryetari i Prishtinës theksoi se është detyra e tij t’i ekspozojë ata që mashtrojnë dhe veprojnë kundër interesave të popullit.

“Ne duhet ta çojmë vendin përpara. Duhet t’i largojmë ata që shtiren se janë të popullit, por në fakt punojnë kundër interesave të tij. Është detyra ime t’i ekspozoj të gjithë ata që gënjejnë dhe mashtrojnë, si dhe t’i tregoj popullit se po mashtrohet kur voton njerëz që nuk ia duan të mirën këtij vendi,” tha Rama për T7.

Ai shtoi: “Së bashku me qytetarët dhe gjithë Kosovën, duhet t’i japim vendit një drejtim më pozitiv, pasi kemi njerëz që dëshirojnë dhe dinë.”

Lidhur me Dimal Bashën dhe deklaratat e bëra nga Dejona Mihali, Rama bëri të ditur se po përgatit padi.

“Ata mashtrojnë dhe gënjejnë. Po përgatis padinë ndaj tyre. Uroj që gjykatat të ndërmarrin hapa sa më shpejt,” theksoi kryetari i Prishtinës.