**Rama reagon pas miratimit të reformës territoriale: “Mos e nënvlerësoni Partinë Socialiste!”**
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën sociale X, disa orë pas miratimit nga Kuvendi, me 85 vota pro, të reformës së re administrativo-territoriale. Kjo reformë parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.
Në reagimin e tij, Rama e cilësoi votimin si një tjetër shtysë për modernizimin e vendit, ndërsa theksoi se rezultati tregoi se Partia Socialiste nuk duhet nënvlerësuar.
Duke cituar fjalët e tij, Rama shkroi se: “Përtej të gjitha debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga duar të pista, ca të dukshme e ca të padukshme, por tashmë të pazbuluara, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese.”
Ai shtoi se votimi “u tregoi edhe një herë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet t’i numërojnë pulat para se të çelin vezët, ose të bëjnë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste.” Reagimi i kryeministrit u publikua në llogarinë e tij zyrtare në X më 9 tetor 2026.
