Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka akuzuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po e mban vendin të “bllokuar” dhe po vepron “sipas tekave të tij”. Ramadani paralajmëroi gjithashtu se të gjitha shkeljet e shkaktuara nga kjo gjendje do të trajtohen.
Gjatë një konference për media, Ramadani theksoi se “kjo gjendje jokushtetuese është duke sjellë një varg shkeljesh të njëpasnjëshme”. Ai shtoi se “të gjitha këto shkelje do të trajtohen, pasi çdo temë dhe çështje mbetet e lidhur me gjendjen jokushtetuese, përkatësisht me nevojën që Kosova të kapërcejë këtë bllokadë”.
Deputeti Ramadani kujtoi se “sistemit në Kosovë i është e qartë se menjëherë pas certifikimit, konstituohet kuvendi”. Në këtë kontekst, ai kritikoi se “kushdo që dëshiron të vendosë tema të tjera para kuvendit, po e mban të bllokuar gjithë Kosovën, sepse ashtu i pëlqen”, përcjell Gazeta Express.
