**Raporti i Artë zbulon: Këta janë futbollistët më tërheqës të Kupës së Botës**

Ndërsa Kupa e Botës ndodhet në kulmin e saj, një analizë e re u përpoq t’i japë përgjigje një pyetjeje që nuk lidhet aspak me golat apo trofetë: kush është futbollisti më tërheqës në turne?

Ekspertët shfrytëzuan raportin e artë, një formulë matematikore, të cilën grekët e lashtë e lidhnin me proporcionet ideale të fytyrës.

Sipas një analize të kryer nga kompania DreamAI, futbollisti më tërheqës në Kupën e Botës është Rodrigo De Paul i Argjentinës. Pas tij renditen Kai Havertz i Gjermanisë dhe Noni Madueke i Anglisë.

Raporti i Artë, i njohur edhe si Phi, është një raport matematik prej 1.618, i cili është lidhur me bukurinë dhe harmoninë për shekuj me radhë. Supozohet se fytyrat, proporcionet e të cilave i afrohen më shumë këtij raporti, konsiderohen më tërheqëse. Për këtë studim, ekspertët nga DreamAI morën 150 prej futbollistëve më të kërkuar në Google dhe i analizuan ata duke përdorur mjetin e tyre për Raportin e Artë të Fytyrës.

“Është interesante që kjo renditje nuk përkon domosdoshmërisht me famën e futbollit,” tha Georgi Dimitrov, CEO i DreamAI. “Disa emra, të cilët shumë do t’i kishin pritur në krye, janë renditur dukshëm më poshtë, ndërsa Rodrigo De Paul doli para disa prej futbollistëve më të njohur në botë.”

Argjentinasi Rodrigo De Paul zuri vendin e parë me një rezultat prej 74.18% përputhshmëri me raportin e artë. Menjëherë pas tij vjen Kai Havertz me 74.10%, ndërsa Noni Madueke është i treti me 73.29%.

Në pesëshen e parë u renditën gjithashtu Mohamed Salah (73.27%) dhe talenti brazilian Endrick (73.25%).

Në vendin e gjashtë u rendit lojtari i kombëtares koreano-jugore, Son Heung-min. Dhjetëshen më të mirë, sipas kësaj analize, e plotësuan edhe Nick Woltemade, Jonathan Tah, Wout Weghorst dhe Scott McTominay.

Një nga rezultatet më interesante të studimit lidhet me Cristiano Ronaldon. Pavarësisht reputacionit të tij si një nga futbollistët më fotogjenikë dhe më të ekspozuar në media në botë, portugezi u rendit vetëm në vendin e 45-të, me 70.98%.

“Ronaldo është ndoshta shembulli më i mirë. Ai është një nga futbollistët që i kushton më shumë vëmendje imazhit, por këtu u rendit vetëm në vendin e 45-të. Kjo tregon se sa specifik është raporti i artë,” tha Dimitrov.

Ai shtoi se analiza nuk mat stilin, karizmën, vetëbesimin apo popullaritetin e një individi. “Ne nuk po vlerësojmë pamjen e përgjithshme, stilin apo vlerën e tregut të dikujt. Ne po shqyrtojmë vetëm proporcionet e fytyrës, gjë që është diçka krejtësisht tjetër,” shpjegoi ai.

**Cilët të tjerë janë mes më tërheqësve?**

Në top 20 futbollistët e renditur gjenden edhe Cody Gakpo, João Neves, Bruno Fernandes, Arda Güler, Ivan Toney, Alisson dhe Brahim Díaz.

Është gjithashtu interesante që Gjermania numëron tre përfaqësues në tetë vendet e para: Kai Havertz, Nick Woltemade dhe Jonathan Tah. Sipas Dimitrov, kjo tregon se si kriteret shkencore të bukurisë shpesh ndryshojnë nga perceptimi i publikut.

“Kjo analizë dëshmon se bukuria ‘në letër’ dhe bukuria në jetën reale shpesh nuk janë e njëjta gjë. Disa lojtarë kanë karizëm dhe prani të jashtëzakonshme, por ata nuk përfundojnë domosdoshmërisht në krye të renditjeve të tilla.”