Raporti i OEK: Kosova mbetet me pagat më të ulëta në Ballkan, inflacioni gërryen fuqinë blerëse

Një analizë e fundit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) tregon se, megjithë rritjen nominale të pagave mesatare gjatë viteve 2019-2025, Kosova mbetet me nivelin më të ulët të pagave në Ballkanin Perëndimor. Raporti thekson se qytetarët vazhdojnë të përballen me ndikimin e lartë të inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës, duke gërryer fuqinë e tyre reale blerëse.

Sipas OEK-ut, paga mesatare bruto në Kosovë ka shënuar një rritje prej gati 49.5 për qind nga viti 2019 deri në vitin 2025, duke u ngjitur nga 477 euro në 713 euro. Këto të dhëna bazohen në statistikat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Megjithatë, Kosova mbetet vendi me pagat më të ulëta mesatarisht në Ballkanin Perëndimor. Serbia prin me një pagë mesatare prej 1,286 eurosh, e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 1,245 euro dhe Mali i Zi me 1,206 euro. Maqedonia e Veriut ka arritur në 1,111 euro, ndërsa Shqipëria e ka kaluar Kosovën me një pagë mesatare prej 860 eurosh. Shqipëria ka shënuar edhe rritjen më të madhe të pagave në rajon gjatë kësaj periudhe, duke i dyfishuar ato me mbi 102 për qind, ndërsa Kosova ka pasur ritmin më të ulët të rritjes.

Analiza e OEK-ut thekson se mbi dy të tretat e kësaj rritjeje nominale të pagave janë “ngrënë” nga inflacioni dhe shtrenjtimi i kostos së jetesës. “Gjatë kësaj periudhe, pagat mesatare kanë shënuar rritje të vazhdueshme në vlerë nominale. Megjithatë, kjo rritje ka qenë kryesisht reagim ndaj inflacionit, më shumë sesa rezultat i një përmirësimi të ndjeshëm të mirëqenies ekonomike. Fuqia reale blerëse e qytetarëve është rritur dukshëm më pak se pagat nominale,” thuhet në raportin e OEK.

Raporti gjithashtu nxjerr në pah dallime të mëdha mes sektorëve. Paga mesatare bruto në sektorin publik, për vitin 2025, arrin në 840 euro, ndërsa në sektorin privat është 666 euro. Kjo krijon një diferencë prej 174 eurosh në favor të sektorit publik, duke treguar se ky sektor vazhdon të ofrojë paga dukshëm më të larta.

OEK vlerëson se rritja e pagave në vitet e fundit lidhet kryesisht me inflacionin global, mungesën e fuqisë punëtore në treg dhe presionin për rritjen e pagave minimale në rajon.

Në vijim të analizës së OEK-ut, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) konfirmoi ditë më parë se qytetarët vazhdojnë të përballen me shtrenjtimin e jetesës. Të dhënat e fundit të ASK-së, për majin e vitit 2026, tregojnë se inflacioni vjetor ka arritur në 6.8 për qind krahasuar me majin e vitit 2025. Kjo valë shtrenjtimi prek pothuajse çdo familje. Rritjet më të mëdha të çmimeve janë regjistruar në transport (14.1%), strehim, ujë, energji elektrike dhe lëndë djegëse (13.2%), pije alkoolike, duhan (5.6%), restorante dhe shërbime akomodimi (5.3%), si dhe ushqime dhe pije joalkoolike (5.1%).