Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport të titulluar “Llogaridhënia dhe transparenca e organeve kolegjiale, peng i LPPA-së”, i cili nxjerr në pah se Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA) vendos mbylljen e mbledhjeve të këtyre organeve si rregull, duke cenuar transparencën dhe llogaridhënien.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, shpjegoi në një konferencë për media se raporti adreson një problem thelbësor në transparencën e institucioneve publike: mbylljen e mbledhjeve të bordeve, komisioneve dhe trupave të tjerë vendimmarrës. Këto organe përbëhen nga disa persona që mblidhen, diskutojnë dhe marrin vendime në emër të institucioneve publike.

“Problemi thelbësor,” sqaroi Shala, “qëndron te neni 39.2 i Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), i cili përcakton se mbledhjet e organeve kolegjiale janë të mbyllura, përveç nëse një ligj tjetër parashikon ndryshe.” Kjo, sipas tij, nënkupton se ligji e ka vendosur mbylljen si rregull dhe transparencën si përjashtim.

“Në praktikë, kjo do të thotë se edhe kur një bord apo komision trajton një çështje me interes të lartë publik, nëse ligji specifik nuk përcakton shprehimisht hapjen e mbledhjes, mediat, shoqëria civile dhe qytetarët nuk mund ta monitorojnë procesin,” theksoi Shala. Për më tepër, edhe nëse vetë institucioni dëshiron të jetë transparent, ai nuk mund ta hapë mbledhjen pa ndryshuar ligjin, duke rrezikuar kështu shkeljen e tij.

“Këtu qëndron absurditeti,” tha Shala, “pasi i njëjti Ligj për Procedurën e Përgjithshme Administrative kërkon administratë të hapur dhe transparente, por për mbledhjet e organeve kolegjiale, e vendos mbylljen si parim.” Hulumtuesi theksoi se raporti konkludon që kjo situatë nuk është në harmoni me parimin e administratës së hapur dhe dobëson orientimin kushtetues drejt transparencës.

Shala sqaroi se pas përfundimit të mbledhjeve, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë procesverbalin ose dokumente të tjera sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, por jo të monitorojnë vetë procesin e vendimmarrjes. Kjo, sipas tij, është një paradoks, pasi procesverbali nuk e zëvendëson mundësinë për të monitoruar vetë procesin. Ai shpjegoi se procesverbali mund të tregojë *çfarë* është vendosur, por jo domosdoshmërisht *si* është zhvilluar procesi që çoi në atë vendim.

“Nga një procesverbal nuk mund të kuptojmë kush ka kundërshtuar, cilat alternativa janë diskutuar, si është trajtuar një konflikt i mundshëm interesi, kush e ka propozuar një zgjidhje dhe si është krijuar shumica për një vendim,” ilustroi ai.

Shala theksoi se kjo problematikë prek institucione me rëndësi të madhe, duke përmendur analizën në raport për Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës, Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe Bordin e Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Ai ilustroi rëndësinë e tyre me shembullin e ShSKUK-së, i cili për vitin 2026 ka një buxhet prej afro 198 milionë eurosh. Bordi i saj miraton buxhetin dhe pasqyrat financiare, monitoron performancën, mbikëqyr cilësinë e kujdesit për pacientët dhe Drejtorin e Përgjithshëm.

“Pra, po flasim për vendimmarrje që prek drejtpërdrejt paratë publike, shërbimet shëndetësore, licencat, konkurrencën, resurset minerale dhe interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve,” përfundoi Shala.

Edhe Shqiponjë Gashi, hulumtuese në IKD, nënvizoi rëndësinë e raportit në trajtimin e çështjes së transparencës institucionale, veçanërisht lidhur me mbylljen e mbledhjeve të organeve kolegjiale vendimmarrëse brenda institucioneve publike.