**Ferizaj largohet nga fusha në finalen e Kupës, ndeshja ndërpritet**
Një ngjarje e pazakontë ka shënuar finalen e Kupës së Kosovës mes Ferizajt dhe Dukagjinit, pasi skuadra ferizajase u largua nga fusha në shenjë proteste ndaj vendimeve të arbitrit.
Ferizaj ka pretenduar padrejtësi nga arbitri Genc Nuza, në një sfidë të tensionuar ku Dukagjini po udhëhiqte me rezultat 2-1.
Ngjarja kulmoi në minutat shtesë të takimit, pas përjashtimit me karton të kuq të lojtarit të Ferizajt, Bekim Haxhimusa. Më herët, edhe Dukagjini kishte mbetur me dhjetë lojtarë që nga minuta e 70-të, por pavarësisht kësaj kishte ruajtur epërsinë.
Tensioni në fushë u shtua edhe më tej pas një dëmtimi të rëndë të Bekim Hysenit, i cili u detyrua të largohej nga fusha me ambulancë.
Pas largimit të Ferizajt, mbetet të shihet cili do të jetë vendimi zyrtar i organeve kompetente për fatin e finales. Ndeshja është ndërprerë në rrethana të pazakonta, ndërsa epilogu i saj pritet të përcaktohet pas vlerësimit të situatës nga zyrtarët e takimit.
