**Kafeja: Rastet kur konsumimi i saj mund të jetë i dëmshëm, pavarësisht përfitimeve**
Kafeja, një pije e dashur për miliona njerëz, shpesh vlerësohet për efektet e saj pozitive në shëndet. Studime të shumta theksojnë se ajo jo vetëm që ndihmon në zgjimin nga gjumi, por gjithashtu mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve si kanceri, demenca dhe ato të zemrës, si dhe të përshpejtojë metabolizmin.
Megjithatë, të njëjtat studime sugjerojnë se ka raste të caktuara kur konsumimi i kafesë duhet shmangur për të parandaluar efekte anësore, duke filluar nga rritja e ankthit deri te rreziqe më serioze. Gazeta “Shëndeti” ka listuar katër situata kryesore ku këshillohet të mos pihet kafe:
1. **Nëse kafeja është tepër e nxehtë**
Konsumimi i pijeve shumë të nxehta, përfshirë kafenë dhe çajin, mund të jetë i dëmshëm. Ekspertët e mjekësisë paralajmërojnë se është temperatura, dhe jo substancat specifike të pijes, ajo që rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit të ezofagut, nëse pija konsumohet në temperatura mbi 65 gradë Celsius.
2. **Nëse ju shkakton ankth**
Nëse ndiheni më të ankthosur pas pirjes së kafesë, shkaku është kafeina. Ajo ka një efekt stimulues në sistemin nervor, duke shkaktuar lëshimin e hormonit të stresit, kortizolit. Kjo mund të përkeqësojë ndjeshëm ankthin dhe problemet me gjumin, sidomos tek individët që vuajnë nga depresioni.
3. **Kur jeni tepër të lodhur ose para gjumit**
Edhe pse kafeja mund të duket si një zgjidhje e shpejtë për të mposhtur përgjumjen, konsumimi i saj para gjumit është kundërindikuar. Kafeina pengon thellësinë dhe cilësinë e gjumit, ndaj është thelbësore të shmangni kafenë disa orë para se të shtriheni.
4. **Menjëherë pas zgjimit**
Konsumimi i kafesë menjëherë pas zgjimit nuk do t’ju japë një shtysë energjie shtesë. Kjo ndodh sepse në orët e para të ditës, nivelet e hormonit të stresit, kortizolit, janë në kulmin e tyre dhe ofrojnë një rritje natyrale të energjisë. Shumë ekspertë bien dakord se kafenë e parë të mëngjesit është mirë ta pini rreth orës 10:00 deri në 12:00, kur nivelet e kortizolit fillojnë të bien.
