Policia e Tiranës ka proceduar penalisht tetë të mitur, të moshës 13-15 vjeç, si të dyshuar për plagosjen e lehtë të një turisti italian 20-vjeçar.

Ngjarja, e cila ndodhi ditën e djeshme pranë Pallatit të Kulturës, është zbardhur pas veprimeve të shpejta hetimore. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 identifikuan dhe shoqëruan tetë shtetasit e mitur, të cilët më pas u proceduan në gjendje të lirë.

Të miturit dyshohet se janë përfshirë në konfliktin gjatë të cilit 20-vjeçari italian pësoi lëndime të lehta trupore.

Puna hetimore vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në ngjarje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.