**Sunny Hill Festival mbyll edicionin e suksesshëm, vendos Kosovën në hartën kulturore botërore**

Sonte shënohet nata përmbyllëse e edicionit të sivjetmë të ‘Sunny Hill Festival’, i cili ka konfirmuar statusin e Kosovës në hartën kulturore botërore. Ky festival, tashmë një ngjarje madhore rajonale dhe më gjerë, mbyll siparin pas ditësh të mbushura me muzikë dhe art.

Gjatë ditëve të tij, festivali mblodhi artistë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë emra si Katy Perry, të cilët elektrizuan skenën. Falë atmosferës fantastike dhe organizimit shembullor nga artistja me famë botërore Dua Lipa dhe bashkëpunëtorët e saj, ‘Sunny Hill Festival’ e shndërroi Kosovën në një epiqendër të kulturës dhe argëtimit.

Mijëra pjesëmarrës nga mbarë bota udhëtuan drejt Kosovës posaçërisht për këtë event.

Më shumë detaje rreth suksesit të këtij edicioni i dha shefi i komunikimit të festivalit, Alban Kastrati, në emisionin ‘Weekendi’ të Klan Kosovës. Ai theksoi se numri i pjesëmarrësve këtë vit ka qenë më i larti deri më tani.

Kastrati deklaroi se entuziazmi për ‘Sunny Hill’ shtrihet përtej kufijve të Kosovës. “Kemi pasur vizitorë nga Japonia dhe vende të ndryshme. Ajo që e bën edhe më të mirë është se ata që vijnë një herë, herën tjetër dëshirojnë të kthehen, madje në grupe shumë më të mëdha”, theksoi ai.

Ai shtoi se ndërkombëtarizimi i festivalit është në rritje dhe misioni fillestar, i cili ishte krijimi i një imazhi pozitiv për shtetin, po arrihet dhe po përmbushet me sukses.