**Reagon VITA: Kërkojmë transparencë dhe hetim nga Prokuroria**

Qumështorja VITA ka reaguar publikisht ndaj kontrolleve dhe dyshimeve të ngritura kohët e fundit kundër produkteve të saj, duke kërkuar transparencë të plotë dhe një hetim nga Prokuroria e Shtetit.

Kompania deklaron se, që nga data 2 korrik, janë marrë mbi 650 mostra dhe janë kryer më shumë se 30 inspektime, por deri më tani VITA pretendon se nuk i është dorëzuar asnjë rezultat i analizave.

VITA sqaron se fillimisht u përball me dyshime për përdorim të vajit të palmës, e më pas për qumësht pluhur dhe ujë pusi, pretendime të cilat, sipas saj, nuk janë vërtetuar.

Kompania shton se tashmë është paraqitur edhe një mostër prej një litri qumësht, me pretendimin se një lot i caktuar prodhimi ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.

Në reagimin e saj, VITA kërkon që Prokuroria të hetojë të gjitha procedurat, duke filluar nga marrja e mostrave, analizat laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse. Gjithashtu, ajo kërkon qasje në rezultatet e analizave dhe një verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar.

Kompania thekson se gjatë 25 viteve të veprimtarisë së saj, nuk është përballur me raste të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve dhe siguron se produktet e saj prodhohen me qumësht vendor.

“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë”, shprehet VITA në deklaratën e saj.