Pishina e Gërmisë në Prishtinë është rihapur sot për publikun, pasi analizat e kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë konfirmuar se uji është plotësisht i pastër dhe i sigurt për përdorim.

Mbyllja e përkohshme e pishinës ishte njoftuar më 7 korrik nga ndërmarrja publike komunale e Kryeqytetit, NPL “Sport Marketing”, me qëllim marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave të nevojshme nga IKSHPK.

Një ditë më parë, të premten, “Sport Marketing” bëri të ditur se rezultatet e analizave kishin mbërritur dhe se cilësia e ujit rezultonte brenda standardeve të kërkuara shëndetësore.

Në njoftimin e saj, ndërmarrja theksoi: “Ashtu siç edhe kemi pritur, uji në pishinën e Gërmisë është i pastër si loti.”

NPL “Sport Marketing” shprehu falënderime për IKSHPK-në për shpejtësinë në kryerjen dhe nxjerrjen e rezultateve, duke vlerësuar institutin për punën e tij “në kohë rekorde”.