Këngëtarja Rina Balaj ka reaguar përmes disa postimeve në Instagram pas protestës së mbajtur për 25-vjeçaren Jetlira Foniqi, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Personi që ishte identifikuar si i dyshuari kryesor në këtë rast ndërroi jetë më 27 gusht, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes vazhdojnë të jenë objekt hetimi nga autoritetet.
“Pamja e nënës së saj ma këputi shpirtin”
Në reagimin e saj, Balaj u ndal veçanërisht te nëna e Jetlirës, e cila ishte e pranishme në protestën ku kërkohej drejtësi për vajzën e saj.
Këngëtarja tha se ishte prekur thellë nga pamjet, duke e përshkruar atë si një nënë të thyer nga humbja dhe të detyruar të dilte në rrugë për të kërkuar drejtësi për fëmijën e saj.
Sipas Balajt, Jetlira duhej të ishte ende gjallë dhe të përgatitej për një kapitull të ri të jetës së saj, pasi priste të bëhej nënë.
Ajo theksoi se është e vështirë të gjenden fjalë për dhimbjen e një prindi që humb fëmijën, veçanërisht në rrethana të tilla.
“Ma këputi shpirtin”, u shpreh ajo për pamjen e nënës së Jetlirës në protestë, duke shtuar se asnjë nënë nuk duhet të detyrohet të dalë në rrugë për të kërkuar drejtësi për vajzën e saj.
Balaj shprehu solidaritet me familjen dhe shpresën që rasti të trajtohet me drejtësi dhe të mos harrohet.
Shpjegon pse nuk mori pjesë në protestë
Në një postim tjetër, Rina iu përgjigj edhe pyetjeve se përse nuk ishte e pranishme fizikisht në protestë.
Ajo sqaroi se, sipas saj, përkrahja dhe dhimbja nuk duhet domosdoshmërisht të dëshmohen përmes pranisë publike apo fotografive.


Këngëtarja tha se është e vetëdijshme se prania e një personazhi publik në një ngjarje të tillë mund të marrë vëmendje të padëshiruar dhe të zhvendosë fokusin nga arsyeja për të cilën njerëzit janë mbledhur.
Sipas saj, mund të krijohen situata ku njerëzit afrohen për fotografi apo krijohet tollovi, duke dhënë përshtypjen e gabuar se një figurë publike është aty për vëmendje.
“Ajo ditë nuk ishte për ne”
Balaj theksoi se protesta nuk duhej të kishte në qendër as atë dhe as ndonjë personazh tjetër publik.
Sipas saj, vëmendja duhej të ishte te Jetlira, familja e saj dhe kërkesa për drejtësi.
Ajo bëri të qartë se mungesa fizike në protestë nuk nënkuptonte mungesë solidariteti apo sensibilizimi për rastin.
Në fund, këngëtarja tha se ndonjëherë respekti mund të tregohet edhe duke mos e shndërruar dhimbjen e një familjeje në spektakël publik, duke ritheksuar se mendimet e saj ishin me familjen e Jetlirës në këtë periudhë të rëndë. /GazetaExpress/
