Policia arreston autorët e dhunimit të këngëtarit Edi Kuçi: Akuza të rënda për dy persona, dy të tjerë në kërkim

Policia e Tiranës njoftoi sot arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, pas dhunimit të këngëtarit Eduard Kuçi. Ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje, ku dyshohet se grupi i autorëve dhunoi 26-vjeçarin Kuçi, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, janë vënë në pranga shtetasit Jozefin Marku, 30 vjeç, dhe Klevis Nezha, 31 vjeç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Akil Haxhiu, 48 vjeç, dhe Klevis Vogli, 27 vjeç.

Në lidhje me këtë ngjarje, ndaj Jozefin Markut rëndojnë pesë vepra penale: “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Ndërsa Klevis Nezha, i cili dyshohet se drejtonte automjetin tip “Land Rover” të përdorur në dhunim, akuzohet për shtatë vepra penale: “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Nezha, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti “Land Rover” i përdorur në ngjarje.

Autoritetet po punojnë intensivisht për kapjen e Akil Haxhiut dhe Klevis Voglit, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, për t’i sjellë para përgjegjësisë penale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.