Breshëri i fuqishëm që goditi dje Komunën e Istogut ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në sektorin e bujqësisë, duke prekur rreth 90% të sipërfaqeve të mbjella.

Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Artan Gegaj, deklaroi se, sipas vlerësimeve paraprake, dëmet janë tejet të mëdha dhe ekipet përkatëse po punojnë për evidentimin e tyre.

Gegaj, në një prononcim për RTKlive, theksoi se “ishte një ditë tejet e vështirë për Komunën e Istogut. Fillimisht u përballëm me një aksident tragjik, ndërsa më pas komuna u godit nga një breshër i fuqishëm që shkaktoi dëme të konsiderueshme në bujqësi, duke shkatërruar kulturat bujqësore në pjesën më të madhe të territorit.”

Ai shtoi se, edhe pse ende nuk ka një bilanc përfundimtar, vlerësimet fillestare tregojnë se rreth 90 për qind e sipërfaqeve të mbjella në territorin komunal janë dëmtuar. Gegaj ritheksoi: “Për momentin nuk mund të flasim me shifra të sakta, por nga vlerësimet paraprake rezulton se rreth 90% e sipërfaqeve të mbjella në territorin e komunës janë dëmtuar.”

Sipas Gegajt, duke filluar nga mëngjesi i së martës, Komuna e Istogut do të formojë komisione për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në terren, me synimin për të krijuar një pasqyrë të saktë të situatës dhe të fermerëve të prekur.

Ai nënvizoi se Komuna e Istogut, në bashkëpunim me kryetarin Ilir Ferati, do të angazhohet maksimalisht për të mbështetur fermerët gjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe tejkalimit të pasojave. Gegaj i bëri thirrje Ministrisë së Bujqësisë që të reagojë me urgjencë dhe të sigurojë mbështetje emergjente për fermerët e Komunës së Istogut. “Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme,” përfundoi ai.