Numri i viktimave nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Kolumbinë të hënën ka arritur në 265. Këtë shifër e bëri të ditur të mërkurën presidenti i vendit, Abelardo De La Espriella.
Presidenti De La Espriella theksoi gjithashtu se të paktën 3.494 persona janë plagosur, ndërsa 496 të tjerë mbeten ende të zhdukur. “Përpjekjet tona janë përqendruar te gjetja e të zhdukurve,” shtoi ai.
Sipas një vlerësimi të dëmeve, të publikuar të mërkurën nga Njësia Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (UNGRD), tërmeti ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në banesa dhe infrastrukturën publike.
Në total, 9.215 shtëpi janë shkatërruar plotësisht, ndërsa 45.457 të tjera kanë pësuar dëme. Si pasojë e kësaj situate, qeveria ka shpallur gjendje katastrofe kombëtare, me qëllim forcimin e mobilizimit dhe koordinimit të kapaciteteve institucionale për t’iu përgjigjur emergjencës.
Gjithashtu, u njoftua se në shenjë zie për viktimat, flamujt kombëtarë do të ulen në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike dhe misionet diplomatike kolumbiane jashtë vendit.
Tërmeti, sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), u regjistrua të hënën në orën 07:34 sipas kohës lokale. Epiqendra e tij ishte rreth 5 kilometra në lindje të qytetit San Jose del Palmar, me një thellësi vatre prej 107 kilometrash.
Një lëkundje pasuese, me magnitudë 5 ballë, u regjistrua në orën 08:18 të mëngjesit, afërsisht 16 kilometra në perëndim të San Jose del Palmar. Ky qytet, i cili ndodhet në departamentin Choco, ka rreth 4.800 banorë dhe shtrihet në një lartësi prej 1.288 metrash mbi nivelin e detit.
