**SHBA vendos sanksione të reja ndaj Kubës, shënjestron kompleksin ushtarak**

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi sanksione të reja mbi kompleksin ushtarako-industrial të Kubës dhe një kompani shtetërore të burimeve natyrore. Ky veprim vjen në përpjekje për të rritur presionin mbi udhëheqjen kubane, duke synuar burimet e investimeve të huaja.

Javën e kaluar, Presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për zgjerimin e sanksioneve të SHBA-së kundër Kubës.

Sipas urdhrit, administrata Trump synon drejtpërdrejt Grupo de Administracion Empresarial SA (GAESA), një konglomerat ushtarak që, sipas zyrtarëve amerikanë, kontrollon të paktën 40% të ekonomisë kubane, si dhe kryetaren e saj ekzekutive, Ania Guillermina Lastres Morera.

Ndër masat e reja përfshihet edhe Moa Nickel SA, një sipërmarrje e përbashkët mes Sherritt International Corp me qendër në Toronto dhe kompanisë shtetërore kubane të nikelit, e cila merret me nxjerrjen e nikelit dhe kobaltit.

Administrata Trump ka kufizuar gjithashtu ndjeshëm udhëtimet dhe dërgesat e parave (remitancat) nga SHBA drejt ishullit. Po ashtu, janë ndërmarrë hapa për të dekurajuar aleatët rajonalë nga punësimi i mjekëve kubanë, një program i promovuar nga Kuba në emër të solidaritetit, por që përbën një burim të madh të monedhës së fortë për regjimin.

“Sanksionet e sotme tregojnë se administrata Trump nuk do të qëndrojë duarkryq përballë kërcënimit që regjimi komunist i Kubës i bën sigurisë sonë kombëtare,” deklaroi Sekretari i Shtetit Rubio në rrjetin X. “Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime derisa regjimi të realizojë të gjitha reformat e nevojshme politike dhe ekonomike,” shtoi ai.

Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kubës të hapë ekonominë e saj të kontrolluar nga shteti, të paguajë dëmshpërblime për pronat e sekuestruara nga qeveria e ish-liderit Fidel Castro dhe të mbajë zgjedhje “të lira dhe të ndershme”.

Nga ana tjetër, Kuba ka deklaruar se forma e saj socialiste e qeverisjes është e panegociueshme. Zyrtarë të lartë kubanë akuzojnë Uashingtonin se “aludon për veprime ushtarake” me qëllim “çlirimin” e Kubës, dhe theksojnë se dekadat e sanksioneve amerikane kundër qeverisë së ishullit janë shkaku kryesor i problemeve të saj ekonomike dhe sociale.