Rukiqi: Ndalimi i blerjes së votës me para publike është urgjente
Berat Rukiqi, zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove për pensionistët, punonjësit e sektorit privat, studentët dhe fëmijët. Rukiqi theksoi se është urgjente që praktika e blerjes së votës me para nga buxheti i shtetit të ndërpritet.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rukiqi shkroi se qytetarët kanë nevojë për vende pune dhe paga të larta, dhe jo të vazhdojnë të jetojnë në varfëri.
Në postimin e tij të plotë, Rukiqi ka deklaruar:
“Këtë situatë e kemi parë edhe më parë. Personat që kanë përfituar ndihma të ngjashme në të kaluarën, kanë mbetur sërish në varfëri. Në fakt, një pjesë e madhe e tyre u janë bashkangjitur shtresës së varfër.
Është urgjente të ndalohet blerja e votës me paratë e buxhetit.
Shtesat u takojnë qytetarëve në nevojë. Këto shtesa duhet të rregullohen me ligj dhe të mos përdoren si instrument për blerje votash.
Qytetarët kanë nevojë për vende pune dhe paga të larta, e jo të mbesin në varfëri.”
