Rummenigge: Asnjë Çmim nuk e Largon Michael Olise-n nga Bayern München!

Karl-Heinz Rummenigge, ish-drejtori ekzekutiv i Bayern München, ka ndarë mendimet e tij për gazetën Bild, duke folur mbi Michael Olise-n.

Olise po kalon një formë fantastike me skuadrën gjermane. Por a mund të largohet mesfushori francez nga klubi bavarez? Sipas Rummenigge-s, një gjë e tillë është absolutisht e pamundur.

“Në vitin 2009, patëm një ofertë të jashtëzakonshme nga Chelsea për Franck Ribery-n. Asokohe, do të kishte qenë një rekord i ri botëror për një transferim. Por unë shkova te drejtori ynë financiar i atëhershëm, Karl Hopfner, dhe Uli Hoeness. Diskutuam për më shumë se dy orë dhe morëm vendimin se nuk duhej të shisnim asnjë lojtar që do të na mungonte nga perspektiva sportive. Ky rregull vlen edhe sot. Për një lojtar si Olise, nuk ka asnjë çmim që mund të na tundonte apo të na bënte të dridheshim,” u shpreh Rummenigge.

Legjenda gjermane shprehu gjithashtu fjalë shumë pozitive për futbollistin francez.

“Është një lojtar i mrekullueshëm. Më pëlqen fakti që ai është kaq i rezervuar dhe i ndrojtur ndaj medias. Kjo është diçka e rrallë në botën e sotme. Ai është një djalë i mirë dhe në fushë është padyshim i jashtëzakonshëm. Mënyra se si luan futboll, dhuron magji,” vazhdoi legjenda e futbollit gjerman.

Vlen të theksohet se Bayern München e bleu futbollistin Olise nga Crystal Palace për 51 milionë euro.