Rusia e sulmoi kryeqytetin ukrainas, Kievin, me një valë masive raketash gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, disa orë pasi presidenti Vladimir Putin deklaroi se Kremlini ishte i gatshëm të rifillonte bisedimet trepalëshe të paqes muajin e ardhshëm.

Me kërkesë të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff, gjatë takimit të tyre treorësh të mërkurën, Putini tha se do të ishte i gatshëm t’i rifillonte bisedimet me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara pas 10 nëntorit. Megjithatë, përpjekja e fundit diplomatike – gjatë së cilës Witkoff, në mënyrë kontroverse, e quajti Putinin “humanitar”, pasi ky i fundit liroi një shtetas amerikan të ndaluar – u pasua nga një sulm ndaj Ukrainës, në të cilin u përdorën 21 raketa dhe 210 dronë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se administrata e tij është “më afër se kurrë” arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Shpërthimet e para në Kiev ndodhën vetëm tri minuta para se ai t’i bënte këto komente.

Sulmet në shkallë të gjerë vranë dy persona dhe plagosën 34 të tjerë, deklaroi të enjten presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zyrtarët ukrainas thanë se edhe qendra e Kievit u godit me një raketë me kokë luftarake thërrmuese.

“‘Humanitarët’ rusë kanë ndërmarrë tri valë sulmesh me raketa balistike kundër Kievit që nga mbrëmja e sotme”, tha Zelensky. “Kjo do të thotë se nuk ka pasur asnjë ndryshim real në qëndrimin e tyre ndaj gjithçkaje që po ndodh”.

“Kur raketat balistike ruse janë përgjigjja ndaj negociatave, ndaj Rusisë duhet të ushtrohet presion i mirëfilltë, në mënyrë që ajo të ndërmarrë hapa të tjerë – hapa për t’i ndalur vrasjet”, shtoi ai, duke bërë thirrje për dërgimin e shpejtë të raketave për mbrojtjen ajrore.