Louis van Gaal e ka kritikuar ashpër UEFA-n dhe formatin e ri të Ligës së Kampionëve, duke e akuzuar organizatën se iu jep përparësi përfitimeve financiare, në vend të cilësisë sportive.
Ish-trajneri i Ajaxit, Barcelonës, Bayern Munichut dhe Manchester Unitedit beson se numri i skuadrave pjesëmarrëse është tepër i madh dhe se diferencat në nivel mes ekipeve po e ulin cilësinë e garës.
“Është qesharake që UEFA e krijon një format të tillë të garës. Sot mund të marrë pjesë kushdo. UEFA mendon vetëm për të fituar para. Është një botë e korruptuar”, deklaroi Van Gaal në një intervistë për televizionin holandez “NOS”, përcjell “Gazeta Express”.
“Në Champions duhet të luajnë skuadrat më të mira”
Që nga sezoni 2024/25, Champions League ka kaluar në formatin me një tabelë të vetme, ku marrin pjesë 36 skuadra dhe secila i luan tetë ndeshje në fazën e ligës, në vend të gjashtë ndeshjeve të formatit të mëparshëm.
Van Gaal mendon se ky zgjerim i ka shtuar dallimet mes ekipeve dhe nuk ka garantuar futboll më cilësor.
“Quhet Liga e Kampionëve, apo jo? Aty duhet të marrin pjesë skuadrat më të mira. Kështu do të kishte më pak dallime në nivel dhe më pak gola, por ndeshjet do të ishin më cilësore dhe futbolli shumë më i mirë”, theksoi holandezi.
Ai propozon që klubet të ndahen sipas nivelit sportiv, duke e përmendur si shembull sistemin me kategori të ndryshme në hokej mbi akull.
Van Gaal i paralajmëron edhe për lëndimet
Një tjetër shqetësim i tij është kalendari i ngjeshur dhe numri gjithnjë e më i madh i ndeshjeve, që sipas tij e rrit rrezikun e lëndimeve te futbollistët.
Van Gaal pretendon se e kishte paraqitur këtë ide te UEFA rreth 20 vjet më parë, por nuk ishte dëgjuar.
“Duke i ndarë të gjitha sipas nivelit. Kështu funksionon në gjithë botën e futbollit, përveçse në nivelet më të larta”, tha ai.
Sipas tij, një sistem i tillë do të sillte ndeshje më të forta, më shumë rivalitet dhe më pak probleme fizike për lojtarët. /Express
