**Rutte përpiqet të bindë Trumpin për ruajtjen e NATO-s me shifra**

Presidenti amerikan, Donald Trump, po shprehte një sërë ankesash ndaj aleatëve të NATO-s të mërkurën pasdite në Zyrën Ovale, kur Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, e ndërpreu duke i paraqitur disa grafika.

Rutte, ish-kryeministër i Holandës, i cili ka fituar reputacion si udhëheqësi evropian më i aftë në menaxhimin e temperamentit dhe kritikave të Trumpit, kishte ardhur i përgatitur me materiale vizuale. Duke ekspozuar posterë në Zyrën Ovale për të “demonstruar çfarë ka arritur ky president”, grafikat e tij tregonin një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve aktuale dhe të parashikuara evropiane për mbrojtjen, raporton “The New York Times”.

“Kjo grafikë flet për ‘Trilionin e Trumpit'”, tha Rutte, duke lëvizur nëpër Zyrën Ovale si një profesor i shkencave politike që shpjegonte bazat e financimit të mbrojtjes para një klase ku ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Ai iu kthye vitit 2017, kur Trump mori detyrën për herë të parë, për të treguar “shumën totale shtesë të shpenzuar nga evropianët dhe kanadezët”, duke u përqendruar veçanërisht në dy vitet e fundit, kur shpenzimet e NATO-s ishin “mbi 250 miliardë dollarë”.

“Mund t’ju siguroj se kjo vjen si pasojë e Rusisë dhe kërcënimit që ajo paraqet”, tha Rutte, ndërsa zemërimi fillestar i Presidentit Trump ndaj aleatëve dukej se po pakësohej. “Por jam gjithashtu plotësisht i bindur se ju, si President i Shteteve të Bashkuara”, bëtë ndryshimin, “duke shtyrë përpara një çështje që nuk ishte arritur që nga koha e Eisenhowerit: që evropianët të rrisnin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në nivele të ngjashme me ato të Shteteve të Bashkuara”.

“Kjo është dëshmia juaj”, tha ai, duke e përfunduar prezantimin me një theksim mbi numrin e vendeve të punës që këto shpenzime shtesë kanë krijuar në ShBA.

Presidenti Dwight D. Eisenhower, natyrisht, nuk kishte kërcënuar ta minonte NATO-n; përkundrazi, ai ishte një nga arkitektët kryesorë të aleancës, duke u mbështetur në përvojën e tij si komandant suprem i forcave aleate. Por Rutte kuptonte jo vetëm audiencën, por edhe objektivin e tij: ruajtjen e një atmosfere të qetë para mbërritjes së Trumpit në Ankara të Turqisë për samitin e NATO-s që nis më 7 korrik. Siç u shpreh një diplomat evropian më herët gjatë javës, qëllimi i atij samiti është modest – të shmanget një shpërthim i Trumpit për shkak të hezitimit të aleatëve të NATO-s për të mbështetur një operacion ushtarak kundër Iranit, operacion të cilin shumë e konsiderojnë të pamenduar mirë dhe të paligjshëm.

Megjithatë, Rutte nuk ishte plotësisht dakord gjatë takimit në Zyrën Ovale. Në një moment, ai e ndërpreu Trumpin teksa ky ankohej se vendet evropiane po investonin shumë ngadalë në sigurinë e tyre dhe shfaqnin pak gatishmëri për të mbështetur operacionet që lidhen me Iranin. Rutte tha se nuk pajtohej “pjesërisht” me këtë vlerësim.

“Ka pasur raste të izoluara për të cilat ju jeni vërtet i zhgënjyer, por në përgjithësi, aleatët tuaj evropianë kanë qenë të pranishëm”, tha ai.

Testi i Trumpit ishte i thjeshtë.

“Thjesht të jenë besnikë”, tha ai kur u pyet se çfarë dëshironte nga aleatët amerikanë në Evropë. “Unë dua vetëm besnikërinë e tyre”.

Më herët, ai kishte veçuar disa vende me kritika specifike, duke filluar me Italinë, Britaninë e Madhe dhe Spanjën.

Për kritikët e Ruttes, përfshirë disa aleatë të NATO-s, qasja e tij ndaj Trumpit është tepër konformiste. Por Rutte e ka bërë të qartë, si në deklarata publike ashtu edhe në biseda private, se ai beson se suksesi i tij në krye të aleancës do të matet kryesisht nga aftësia për ta mbajtur ShBA-në në thelbin e saj. Një tjetër objektiv është rikthimi i besimit të dobësuar të udhëheqësve evropianë se, nëse trupat ruse do të depërtonin qoftë edhe disa kilometra në territorin e NATO-s, ShBA-ja do të ishte pjesë e një përgjigjeje të përbashkët.

Trump nuk duket se ka gjasa të japë garanci të tilla në mënyrë të qartë. Gjatë mandatit të tij të parë, ai refuzoi madje të citonte Nenin 5 të traktatit të NATO-s, i cili përmban angazhimin për reagim kolektiv ndaj kërcënimeve, në një fjalim në selinë e aleancës. Në fakt, ai e bëri të qartë se nuk do të merrte pjesë në samitin e ardhshëm nëse ai nuk do të organizohej nga Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Nuk do të kisha shkuar për shumëkënd”, tha Trump të mërkurën. “Por ai më telefonoi. Më tha: ‘Të lutem, po e mbaj në Turqi. Duhet të jesh aty. Shtetet e Bashkuara duhet të jenë aty’. Dhe prandaj po shkoj, nga respekti ndaj Presidentit Erdogan”.

Trump la të kuptohej gjithashtu se ShBA-ja ka të ngjarë t’i lejojë Turqisë blerjen e avionëve luftarakë F-35 Lightning II, gjë të cilën Uashingtoni e kishte ndaluar prej kohësh.

Turqia u përjashtua nga programi F-35 në vitin 2019, gjatë administratës së parë Trump, pasi Erdogani bleu sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400 Triumf. Zyrtarët amerikanë kishin frikë se Rusia mund të siguronte informacione mbi programin F-35 nëpërmjet Turqisë.

Trump nuk përmendi këtë konflikt kur sinjalizoi se ka të ngjarë ta heqë ndalimin në javët e ardhshme.