Ermal Sadiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën politike, duke thënë se ‘’pozita e Presidentit nuk ka asnjë lidhje me dështimet gjashtëvjeçare të Qeverisë Kurti’’.

Sadiku ka thënë edhe se, presidenti s’e ka ndaluar Kurtin t’i ndërtojë autostradat, spitalet e stadiumet, dhe se, kryeministri në detyrë, ka dështuar në arsim, në luftimin e korrupsionit e nepotizmit.

Postimi:

Amateri, kur dështon, fillon me gjetë arsyetime.

Pozita e Presidentit nuk ka asnjë lidhje me dështimet gjashtëvjeçare të Qeverisë Kurti.

Presidenti nuk e ndaloi Kurtin t’i ndërtojë autostradat, spitalet e stadiumet. Mandati i Presidentes ishte pesë vjet, por gjatë këtyre pesë viteve Kurti dështoi pothuajse në çdo projekt kapital. Dështoi në arsim, dështoi në luftimin e korrupsionit, ndërsa nepotizmi lulëzoi në nivele të papara më herët.

Pozita e Presidentit sot është vetëm arsyetimi i radhës i Kurtit për bllokadë. Sepse kështu blen kohë për keqqeverisjen e tij. Kështu e zvarrit funksionimin e institucioneve dhe e çon vendin përsëri drejt zgjedhjeve, ashtu siç na çoi tri herë në zgjedhje për më pak se dy vjet.

Kur nuk ke rezultate për t’ua treguar qytetarëve, të duhet një krizë e re për t’ua shpjeguar dështimet e vjetra.