Ikona e Real Madridit, Fernando Hierro, ka ndezur spekulimet për merkato duke sugjeruar se Mohamed Salahu do të ishte një përforcim perfekt për klubin madrilen.

Sulmuesi egjiptian pritet të mbyllë aventurën e tij të suksesshme te Liverpooli këtë verë, pasi ka arritur marrëveshje për të përfunduar kontratën një vit më herët.

33-vjeçari ka qenë ende vendimtar këtë sezon, duke regjistruar 12 gola dhe 9 asistime në 38 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Megjithatë, ai nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen pas largimit si lojtar i lirë.

Hierro, fitues i tre titujve të Ligës së Kampionëve me Real Madridin, beson se Salahu ka cilësinë për të shkëlqyer në La Liga.

“Salahu te Real Madridi? Sigurisht që do ta doja. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm në çdo aspekt. Askush nuk mund ta mohojë ndikimin e tij te Liverpool dhe arritjet e tij, sidomos fitimin e Premierligës. Do të doja shumë ta shihja te Real Madridi – në futboll gjithçka është e mundur,” tha Hierro.

Ai shtoi se Salahu është tipi i lojtarit që çdo klub në botë do ta dëshironte, duke theksuar ndikimin e tij direkt në fushë dhe aftësinë për të bërë diferencën kudo që luan.

Hierro gjithashtu përmendi se prezenca e Salahut në Spanjë, qoftë te Real Madridi apo Barcelona, do të ishte një shtysë e madhe për kampionatin.

Gjatë kohës së tij si drejtor sportiv tek Al Nassr, Hierro kishte ndjekur situatën e Salahut, por theksoi se lojtari ishte i fokusuar te Liverpooli dhe se negociatat nuk arritën kurrë në një fazë të avancuar, pavarësisht zërave për një transferim në Saudi Pro League.

“Kur një emër si Mohamed Salahu del në treg, është normale që çdo klub të interesohet, sepse ai është një lojtar i jashtëzakonshëm. Por në fund vendimi është gjithmonë i lojtarit,” përfundoi Hierro./GazetaExpress/