Sami Lushtaku reagon para intervistimit: I përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit
Sami Lushtaku, pak para se të hynte në stacionin policor në Skenderaj për t’u intervistuar lidhur me incidentin e djeshëm me Hysni Mehanin e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar me anë të një deklarate të publikuar në profilin e tij në Facebook.
Në deklaratën e tij, Lushtaku thekson se i përgjigjet Republikës, kombit dhe Zotit, si dhe drejtësisë, duke theksuar respektin e tij për institucionet.
“Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit. Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë. I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka,” shkroi Lushtaku.
Ai shtoi duke bërë një krahasim me kryeministrin Kurti: “Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës.”
Në fund, Lushtaku bëri thirrje për qetësi: “Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion!”
