Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha sot në Tivat se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor.
Në fjalimin e saj hapës në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ajo tha se i gjithë Ballkani Perëndimor është në zemër të historisë së Be-së.
“Dhe vendi juaj është në zemër të Bashkimit Evropian – dhe kjo është pikërisht arsyeja pse po takohemi për herë të dytë në gjashtë muajt e fundit. Sot po bëjmë hapa të mëdhenj drejt ndërtimit të një Bashkimi Evropian më të pavarur, një bashkim që është më i sigurt, më elastik dhe i plotë, dhe nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.
Sipas zyrtares së lartë evropiane, kjo është arsyeja pse ky samit është kaq i rëndësishëm, transmeton Klankosova.tv.
“Gjatë ditës, do të diskutojmë bashkëpunim më të ngushtë në fushën e sigurisë dhe gjeopolitikës. Do të shqyrtojmë mënyra për t’i afruar ekonomitë dhe qytetarët tanë përmes planit të rritjes, dhe do të diskutojmë se si ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë, më të dukshëm dhe më të fokusuar strategjikisht”, tha von der Leyen.
