Schuebel dhe Rizvanolli Diskutojnë Tranzicionin Drejt Energjisë së Pastër
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka takuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Gjatë takimit, ata diskutuan bashkëpunimin dypalësh dhe projektet e përbashkëta.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, një nga temat kryesore të diskutimit ishte mbështetja e BE-së për Kosovën në procesin e tranzicionit drejt energjisë së pastër. Kjo mbështetje do të realizohet përmes projekteve të financuara nga Instrumenti i Para-Aderimit (IPA) dhe zbatimit të reformave të lidhura me Planin e Rritjes, si dhe përmes mbështetjes përkatëse financiare.
Ambasadori Schuebel theksoi gjithashtu zbatimin e suksesshëm të Pakos së BE-së për Mbështetje Energjetike, nga e cila kanë përfituar mbi 200,000 familje dhe 154 biznese. Ai ritheksoi se BE-ja mbetet partneri më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare në vend.
