Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe cenim të rendit kushtetues. Ai i ka bërë thirrje deputetëve që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojnë masën e pezullimit të seancës.

Sipas tij, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka pasur obligim që vazhdimin e seancës ta thërriste gjatë ditës së sotme, në mënyrë që procedura të përfundonte brenda afatit kushtetues.

“Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues. Dehari, përmes caktimit të vazhdimit pas afatit, dhe LVV-ja, përmes mosushtrimit brenda afatit 30-ditor të së drejtës ekskluzive të propozimit, ua kanë pamundësuar deputetëve ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre kushtetuese”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ai ka shtuar se ky vendim, së bashku me veprimet e ndërmarra, përbën shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë arsye, Cakolli ka bërë thirrje që menjëherë pas mesnatës të paktën dhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar vendimin për caktimin e seancës pas skadimit të afatit, si dhe mosveprimet e datave 6 dhe 7 gusht.

Ai ka kërkuar gjithashtu që të kërkohet masë e përkohshme për pezullimin e seancës së paraparë për nesër në orën 11:00.