Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka shprehur shqetësim të thellë për kërcënimet e fundit ndaj popullsisë civile. Deklarata u bë nga zëdhënësi i tij, Stéphane Dujarric, siç raportohet nga BBC.
Komentet e Dujarric pasojnë deklaratën e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili më herët kishte thënë se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”, teksa afronte afati që ai i kishte caktuar Iranit, edhe pse Trump nuk u përmend drejtpërdrejt.
Zëdhënësi shpjegoi se Guterres është i shqetësuar për çdo deklaratë që sugjeron se popullatat civile apo qytetërimet mund të detyrohen të vuajnë pasojat e vendimeve politike dhe ushtarake.
Ai shtoi se “asnjë objektiv ushtarak nuk justifikon shkatërrimin masiv të infrastrukturës së një shoqërie” apo “shkaktimin e qëllimshëm të vuajtjeve ndaj popullatave civile”.
Guterres theksoi gjithashtu bindjen e tij se luftërat mund të marrin fund “kur udhëheqësit zgjedhin dialogun mbi shkatërrimin” – një opsion që, sipas tij, “ende ekziston”.
