Serbia Zgjat Marrëveshjen e Gazit me Rusinë, Vuçiq e Cilëson “Shumë të Favorshme”
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi më 30 mars arritjen e një marrëveshjeje për zgjatjen e kontratës ekzistuese të furnizimit me gaz natyror nga Rusia. Kjo siguron që Moska të mbetet furnizuesja kryesore e Beogradit me gaz.
Marrëveshja e re, e cila pason një bisedë telefonike midis Vuçiqit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, është afatshkurtër për tre muaj. Ajo parashikon importin e 6 milionë metrave kub gaz nga Rusia.
Vuçiq deklaroi në një konferencë për media se çmimi i gazit do të jetë midis 320 dhe 330 dollarë për 1 mijë metra kub. Ai i vlerësoi këto kushte si “shumë të favorshme”, duke shprehur falënderimet e tij për Putinin. Marrëveshja afatshkurtër e mëparshme, e arritur në dhjetor, skadoi më 31 mars.
Pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për të ulur varësinë nga gazi i Moskës që nga pushtimi rus i Ukrainës, vendi ende mbulon më shumë se 80 për qind të nevojave të tij nga Rusia.
Eksperti hungarez i energjisë, Attila Holoda, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, shpjegon se kjo varësi kushtëzohet nga faktorë ekonomikë dhe politikë. Ai thekson se gazi rus i është ofruar Serbisë me kushte relativisht të favorshme për një kohë të gjatë, ndërsa infrastruktura ekzistuese dhe marrëdhëniet tregtare e bëjnë këtë opsion më të lehtë në afatshkurtër. Dimensioni politik, sipas Holodas, është po aq i rëndësishëm, pasi Beogradi përpiqet të ruajë marrëdhënie stabile me Moskën, duke balancuar qartazi rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian po përpiqet të reduktojë të ardhurat e Rusisë nga energjia, të cilat i përdor për financimin e luftës në Ukrainë, dhe planifikon të ndërpresë plotësisht importin e naftës dhe gazit rus deri më 1 janar 2028. Ndërprerja graduale e importit të gazit rus në BE ka nisur në fillim të vitit, por nuk vlen për tranzitin e gazit rus drejt vendeve të treta. Megjithatë, BE-ja pret nga Serbia, si vend kandidat për anëtarësim, të harmonizohet gradualisht me të gjitha vendimet e saj.
Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ndërkohë, Serbia ka filluar të blejë gaz edhe nga Azerbajxhani përmes Bullgarisë. Po kështu, ndërtimi i gazsjellësit drejt Maqedonisë së Veriut, që do të mundësonte akses në gaz natyror të lëngshëm nga Greqia, pritet të nisë këtë vit.
