Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kryer sulme ajrore ndaj radarëve dhe infrastrukturës ushtarake iraniane, kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të disa dronëve iranianë nga forcat amerikane. Sipas zyrtarëve amerikanë, këta dronë përbënin kërcënim për anijet tregtare dhe personelin ushtarak amerikan në rajonin e Ngushticës së Hormuzit.
Burime ushtarake amerikane bënë me dije se dronët ishin interceptuar mbi ujërat strategjike të Gjirit Persik. Ndërhyrja amerikane u fokusua në objektiva që konsiderohen të lidhura me operacionet ajrore të dronëve.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) konfirmoi se sulmet kishin si qëllim neutralizimin e kërcënimeve ndaj lundrimit ndërkombëtar tregtar dhe mbrojtjen e forcave amerikane që operojnë në zonë.
Raportet mediatike theksuan se objektivat e goditura përfshinin sisteme radari dhe infrastrukturë ushtarake iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit. Kjo ngushticë është një nga korridoret më jetike për transportin global të naftës.
Pas sulmeve, Irani reagoi ashpër, duke akuzuar Uashingtonin për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të sovranitetit të tij. Teherani paralajmëroi se rezervon të drejtën për një kundërpërgjigje.
Tensionet në Gjirin Persik janë përshkallëzuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Një seri përplasjesh janë regjistruar, duke përfshirë incidente me dronë, raketa dhe operacione detare pranë Hormuzit, përmes së cilës kalon një pjesë thelbësore e furnizimit botëror me naftë.
