Shembje dheu në Prishtinë dëmton rrjetin 110 kV, pjesë e kryeqytetit pa energji – Reagon KOSTT
Një shembje dheu e regjistruar në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë ka shkaktuar dëmtime serioze në infrastrukturën energjetike, duke prekur drejtpërdrejt rrjetin transmetues të nivelit 110 kV.
Si pasojë e kësaj situate, një pjesë e konsumatorëve që furnizohen nga nënstacioni Prishtina 6 kanë mbetur pa energji elektrike, ka njoftuar Operatori i Sistemit të Transmetimit (KOSTT).
KOSTT thekson se ekipet e tij, në bashkëpunim me KEDS-in, janë në terren dhe po punojnë intensivisht për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji elektrike.
Operatori u ka bërë thirrje qytetarëve të prekur për mirëkuptim, deri në normalizimin e plotë të situatës.
