Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar se më 15 shtator është regjistruar rasti i parë i vdekjes së një pacienti të diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor.
Sipas njoftimit të QKUK-së, pacienti Rr. I., i lindur më 2 maj 1960, ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive më 10 shtator, me diagnozën meningoencefalit akut, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Para hospitalizimit, pacienti ishte trajtuar për pesë ditë në mënyrë ambulatore. Në ditën e pranimit në Klinikën Infektive, sipas QKUK-së, iu kryen ekzaminimet e nevojshme diagnostikuese dhe u iniciua menjëherë trajtimi, ndërsa u realizuan edhe konsultat përkatëse mjekësore.
Në kuadër të analizave laboratorike u krye edhe testi RT-PCR për Virusin e Nilit Perëndimor, i cili rezultoi pozitiv.
Gjendja e pacientit vijoi të ishte tejet e rëndë dhe kërkoi trajtim intensiv. QKUK ka bërë të ditur se gjatë gjithë periudhës së hospitalizimit u ndërmorën masat dhe procedurat e nevojshme mjekësore dhe trajtimi medikamentoz u përshtat me gjendjen klinike të pacientit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor dhe trajtimit të ofruar, pacienti ndërroi jetë më 15 shtator, në orën 08:40.
Ky është rasti i parë i vdekjes i raportuar nga QKUK te një pacient i diagnostikuar me Virusin e Nilit Perëndimor.
