Analisti Shenoll Muharremi propozon një “kompromis të fundit” për të shmangur zgjedhjet në Kosovë.
Analisti Shenoll Muharremi ka renditur disa pika, të cilat, sipas tij, paraqesin mundësinë e fundit që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ai shkruan se ndoshta një kompromis cilësor mund të jetë i mundur dhe ai përfshin:
1. Albin Kurti votohet President dhe mbetet negociator me Serbinë.
2. Qeveria zgjerohet dhe drejtohet nga PDK, LDK, AAK dhe Vjosa Osmani (ku personalitete të larta, si Bedri Hamza/Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku/Hykmete Bajrami, Vlora Çitaku, Avdullah Hoti, Besnik Tahiri, do të kenë role dhe përgjegjësi kryesore).
3. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) drejton ministritë kryesore, si Financat dhe Punët e Brendshme (konsideruar shumë të rëndësishme).
4. PDK dhe LDK menaxhojnë ministritë e ekonomisë, energjisë dhe projekteve madhore, sektorë ku LVV ka hasur në vështirësi serioze.
5. AAK-ja merr Ministrinë e Mbrojtjes, me fokus në anëtarësimin në NATO.
6. Vjosa Osmani drejton diplomacinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.
7. Në Ministritë e Arsimit dhe Shëndetësisë caktohen personat më kompetentë.
Muharremi thekson se, domethënë, LVV-ja do të ketë Kuvendin, Presidencën dhe 2-3 ministri kryesore; ndërsa partitë e tjera do të drejtojnë ministritë dhe sektorët ku LVV ka hasur në vështirësi të theksuara, por që janë thelbësore për Kosovën për të pasur një drejtim të ri ekonomik, politik dhe diplomatik.
“Ky kompromis duket të jetë cilësor dhe thelbësor, pasi adreson nevojat e Kosovës dhe respekton rezultatin zgjedhor në një masë të konsiderueshme,” shkruan analisti. Ai përfundon me një pyetje retorike dhe skepticizëm: “A mundet vallë që disa nga politikanët kosovarë, të cilët duhet të kuptojnë rolin e tyre, të tregojnë maturi dhe të arrijnë kompromiset e nevojshme për të mirën e përgjithshme të Kosovës (dhe jo për pushtetin apo karrigen personale)? Me siguri jo!”
