Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Francë, pasi u kapën teksa tentonin të hynin ilegalisht në Britaninë e Madhe, të fshehur në një kamion. Ngjarja ndodhi të premten në Calais, ku policia franceze i ndaloi ata ndërsa kamioni po përgatitej të hipte në një traget.
Sipas burimeve të cituara nga Daily Mail, njëri prej të arrestuarve posedonte një pistoletë me silenciator. Ekziston shqetësimi se shqiptarët mund të jenë anëtarë të rrjeteve kriminale dhe kishin ndërmend të takoheshin me figura të tjera të botës së krimit shqiptar në Britani.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur numri i shtetasve shqiptarë që përpiqen të hyjnë në Britaninë e Madhe përmes Kanalit Anglez ka shënuar luhatje të mëdha. Në vitin 2022, mbi 17,000 individë kërkuan azil, duke shënuar një rritje të ndjeshme, siç raportoi TopChannel. Deri në tetor të vitit 2024, kjo shifër kishte rënë nën 3,000, sipas analizave të Observatorit të Migracionit bazuar në të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Britanisë.
