Të paktën një person ka humbur jetën në verilindje të Spanjës, pasi rajoni është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe përmbytje të menjëhershme, duke shkaktuar kaos në disa zona.
Ekipet e shpëtimit kanë gjetur të enjten trupin e një burri në Olivella, rreth 40 kilometra në perëndim të Barcelonës, pasi vetura e tij është marrë nga rrjedha e ujit, kanë bërë të ditur autoritetet.
Agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës, AEMET, kishte lëshuar të mërkurën paralajmërime për reshje të dendura në rajonet lindore të vendit, përfshirë edhe një alarm të kuq për bregdetin e Barcelonës.
Zjarrfikësit katalanas njoftuan të enjten në X se kishin gjetur “trupin e pajetë të një burri”, duke korrigjuar raportimet e mëparshme se personi i zhdukur ishte grua.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve në Katalonjë dhe Valencia, me anulime fluturimesh, ndërprerje të trafikut hekurudhor dhe rrugë të mbuluara nga uji.
