Shoqata e Qumështorëve të Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në industrinë e qumështit, duke kundërshtuar rikthimin e vajit të palmës në fabrikat e përpunimit të qumështit dhe duke kërkuar zbatimin pa kompromis të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë.
Në reagimin e saj, Shoqata shpreh shqetësimin se rreth 200 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë, situatë që, sipas saj, po ndërlidhet me ndalimin e përdorimit të vajit të palmës.
Megjithatë, Shoqata vlerëson se fermerët dhe punëtorët nuk duhet të bartin pasojat e kësaj situate, duke theksuar se kompanitë mund të vazhdojnë prodhimin duke përdorur qumështin nga fermat vendore.
“Fermerët dhe punëtorët nuk e kanë fajin!”, thuhet në reagim.
Shoqata ngre gjithashtu dyshime se disa produkte me vaj palme po vazhdojnë të prodhohen në mënyrë të fshehtë dhe të dalin në treg, prandaj kërkon ndërhyrjen e institucioneve kompetente dhe zbatimin e plotë të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë.
Shoqata i ka bërë thirrje Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të zbatojë vendimin e Ministrisë së Bujqësisë me përpikëri, pa kompromise dhe pa standarde të dyfishta.
Sipas saj, siguria ushqimore, mbrojtja e konsumatorëve, mbijetesa e fermave dhe investimet vendore nuk duhet të sakrifikohen për interesa financiare.
Në reagim, Shoqata u bën thirrje kompanive që përdorin vaj palme të heqin dorë përfundimisht nga kjo praktikë dhe të orientohen drejt qumështit vendor. Njëkohësisht, kërkon që operatorët që nuk përdorin vaj palme të distancohen publikisht nga kjo praktikë, në mënyrë që konsumatorët të kenë më shumë transparencë për produktet që blejnë.
“E ardhmja e industrisë së qumështit në Kosovë është qumështi vendor, jo vaji i palmës!”, përfundon reagimi i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës.
