Tre alpinistë kanë humbur jetën në Indonezi pas shpërthimit të vullkanit Dukono sot në mëngjes. Ngjarja tragjike ndodhi ndërsa një grup prej 20 personash po ngjitej në mal, pavarësisht një ndalimi të vendosur.

Ekipet e shpëtimit arritën të gjenin të gjithë anëtarët e tjerë të grupit të alpinistëve që kishin humbur pas shpërthimit. Shumica janë evakuuar nga zona, ndërsa dy prej tyre kanë mbetur për të ndihmuar në operacionet e kërkimit dhe gjetjes së trupave të viktimave.

Gjithsej 15 persona janë shtruar në spital për të marrë trajtim mjekësor për plagët e tyre, bëri të ditur shefi i policisë, Erlichson.

Zyrtarët kanë theksuar se grupi, ku bënin pjesë edhe nëntë shtetas nga Singapori, po tentonte ngjitjen pavarësisht se autoritetet kishin vendosur një ndalim për hyrjen në zonën e rrezikut.

Shpërthimi i vullkanit Dukono ndodhi në orën 07:41 sipas orës lokale (22:41 GMT të enjten), duke lëshuar një shtëllungë masive hiri që arriti lartësinë 10 kilometra në qiell, sipas të dhënave të Sondazhit Vullkanologjik të Indonezisë.

Dukono njihet si një prej vullkaneve më aktivë të Indonezisë dhe është një destinacion popullor për alpinistët dhe turistët, pavarësisht rrezikut.